Qëllimi i projektit
Projekti synon të ndërtojë njohuri te të rinjtë për të rikthyer në jetë veshjet popullore të Korçës, Devollit, Zadrimës dhe Mirditës, xhubletat e leshta të periudhave të ndryshme historike, identifikimin dhe dokumentimin e elementeve të veshjes së Tropojës, produktet artizanale të Kukësit dhe ringjalljen e çiftelisë me zog, një instrument muzikor i Pukës që rrezikon të harrohet.
Objektivat e projektit
- Të ringjallë pasionin e të rinjve, në zonat urbane dhe rurale, për riprodhimin e veshjes tradicionale të Korçës dhe Devollit, duke mbrojtur dhe ruajtur traditat vendore dhe mjetet e nevojshme për aktivitetet e organizuara nga shkollat ose bashkitë.
- Të dokumentojë elementet dhe aksesorët e veshjeve popullore të Tropojës, bazuar në veshjet origjinale që ruhen nga familjet — duke trajnuar të rinjtë dhe gratë për t’i përshkruar dhe riprodhuar me saktësi, për t’i ruajtur këto vlera trashëgimie dhe për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm.
- Të dokumentojë mjeshtërinë e punimit të çiftelisë me zog. Ky instrument, i lidhur me historinë e trashëgimisë kulturore dhe jetën popullore shqiptare, rrezikon të zhduket; projekti do të ndihmojë në ruajtjen e njohurive për punimin e tij, edhe përmes një dokumentari.
- Të trajnojë vajza të reja në Vau i Dejës për të endur pëlhurë tradicionale dhe për të qepur veshjen popullore të Zadrimës dhe Mirditës, si dhe të promovojë këto zanate.
- Të identifikojë, mbledhë dhe riprodhojë zanate që po zhduken, si “cergja”, e lidhur ngushtë me trashëgiminë kulturore të rajonit të Kukësit, dhe t’i promovojë për të krijuar interes vendor dhe përfitime për komunitetin.
- Të riprodhojë xhubleta të leshta të shekujve XVIII, XIX dhe XX, duke dokumentuar dhe promovuar teknikat e përdorura dhe duke ruajtur autenticitetin — me përfshirjen e elementeve tradicionale në veshjen moderne, të promovuara përmes një videoje dokumentare dhe një ekspozite virtuale për turizmin kulturor.
- Të dokumentojë jorganët tradicionalë të punuar nga gratë dhe nënat në një katalog fotografik.
Projekti mbështetet nga Ministria e Kulturës.
